Secondary Adv

Izraeli ultimatum Hamasit: Pranoni planin e armepushimit ose nisim ofensiven ne Rafah

Izraeli thuhet se i ka dhënë Hamasit një javë kohë për të rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi.

 

Izraeli i ka dhënë Hamasit një javë kohë për marrëveshjen e armëpushimit ose do të nisë operacionin ushtarak në Rafah, thanë zyrtarët egjiptianë për Wall Street Journal të premten.

 

Sipas zyrtarëve, Egjipti ka punuar me Izraelin për një propozim të rishikuar të armëpushimit që i paraqiti Hamasit fundjavën e kaluar.

 

Udhëheqja politike e Hamasit pritej të konsultohej me krahun e saj ushtarak në Gaza dhe të kthehej me pozicionet e veta.

 

Por Yahya Sinwar, udhëheqësi ushtarak i grupit në Gaza, i cili besohet se fshihet në tunele në enklavë dhe merr vendimet përfundimtare, nuk është përgjigjur, thanë zyrtarët.

 

“Sinwar pritet të refuzojë çdo marrëveshje që nuk përfshin një rrugë të besueshme për t’i dhënë fund luftës,” shtuan zyrtarët në WSJ.

 

Ndërmjetësuesit arabë thanë gjithashtu se Sinwar “beson se ai tashmë e ka fituar luftën, pavarësisht nëse mbijeton apo jo, duke hapur sytë e botës ndaj gjendjes së vështirë të palestinezëve dhe duke e sjellë konfliktin në Rripin e Gazës në ballë të çështjeve botërore”.

 

Në të njëjtën kohë, sipas një zyrtari izraelit të cituar nga Times of Israel, kabineti i Izraelit pret që Hamasi të shpallë zyrtarisht refuzimin e propozimit.

 

“Udhëheqja izraelite vlerëson se Hamasi do të refuzojë zyrtarisht ofertën e fundit të pengjeve dhe armëpushimit ,” tha zyrtari, duke shtuar se kabineti i luftës tashmë po diskuton një skenar të tillë, përveç një nisje të mundshme të pushtimit të afërt të qytetit të Rafahut. /abcnews.al


Më të lexuarat